
Trump do të vendosë tarifa 25 për qind për importet e çelikut dhe aluminit
Presidenti amerikan zgjeron fushatën e proteksionizmit tregtar në sektorin e metaleve.
Donald Trump tha se do të vendoste tarifa 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit, duke zgjeruar konfliktet e tij tregtare në sektorin e metaleve, në një shpërthim të ri proteksionizmi nga Uashingtoni.
Përveç masave për produktet e çelikut dhe aluminit, Trump tha se më vonë gjatë javës do të zbulonte tarifa të reja reciproke, që synojnë importet nga një gamë e gjerë vendesh që vendosin taksa mbi eksportet e SHBA.
Tarifat e premtuara për çelikun dhe aluminin vijnë pasi Trump ka nisur mandatin e tij të dytë me një politikë tregtare agresive, që ka tronditur tregjet valutore globale, ka ngjallur frikën e një shpërthimi të ri të inflacionit të SHBA dhe synon partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës.
Kanadaja, Kina dhe Meksika janë eksportuesit më të mëdhenj në SHBA të produkteve të çelikut dhe aluminit, por taksat e propozuara të Trump potencialisht do të synojnë vendet nga Brazili në Gjermani dhe Korenë e Jugut.
Tarifat për importet e metaleve janë mbështetur nga disa sindikata amerikane si dhe prodhues vendas, por ato rrezikojnë të rrisin kostot e lëndëve të para për një gamë të gjerë prodhuesish amerikanë. Në vitin 2023, SHBA importoi 82.1 miliardë dollarë çelik dhe hekur dhe 27.4 miliardë dollarë alumin, ndërsa eksportoi 43.3 miliardë dollarë çelik dhe hekur dhe 14.3 miliardë dollarë alumin.
Duke iu përgjigjur premtimit të Trump për tarifat e çelikut dhe aluminit, Komisioni Europian tha: “Ne do të reagojmë për të mbrojtur interesat e bizneseve, punëtorëve dhe konsumatorëve europianë nga masat e pajustifikuara”.
Trump synoi industrinë e metaleve gjatë mandatit të tij të parë, duke vendosur një tarifë 25% për çelikun dhe 10% për aluminin, përpara se të jepte më pas përjashtime për disa partnerë tregtarë, përfshirë Kanadanë dhe Meksikën.
BE-ja u kundërpërgjigj ndaj tarifave të Trump në 2018 për metalet, duke vendosur taksa mbi një sërë importesh amerikane, duke përfshirë uiski bourbon, motoçikleta Harley-Davidson dhe varka me motor.
Joe Biden më vonë arriti një marrëveshje me BE-në, duke zëvendësuar tarifat me një sistem kuotash, por që lejoi gjithashtu rivendosjen e tarifave këtë vit, nëse bisedimet midis palëve nuk arrinin të bënin përparim.
Pas planit të fundit të tarifës për metalet, dollari u rrit me 0.1 % të hënën kundrejt një shporte valutash duke përfshirë euron, jenin dhe paundin. Alumini i tregtuar në bursën e metaleve të Londrës u rrit me 0.4% në 2,639 dollarë për ton.
Aksionet e prodhuesve të çelikut të Koresë së Jugut Hyundai Steel dhe Posco Holdings ranë përkatësisht 2% dhe 0.8%, duke nën performuar indeksin e standardit Kospi.
Aksionet e ArcelorMittal, një nga prodhuesit më të mëdhenj të Europës, ranë 2.5%.
Kryeministri i Australisë Anthony Albanese tha se kompanitë e vendit të tij “kanë investime të rëndësishme në industrinë e çelikut në SHBA, duke krijuar mijëra vende pune si në SHBA ashtu edhe në Australi”.
SHBA trefishoi tarifat e saj për çelikun kinez vitin e kaluar, ndërsa BE-ja nisi një hetim antidumping për produktet kineze të çelikut të veshura me kallaj. Meksika dhe Brazili gjithashtu ngritën tarifat.
Premtimi i fundit i Trump vjen pasi Shtëpia e Bardhë është zotuar të bllokojë marrjen e US Steel nga Nippon Steel pas vendimit të Joe Biden për këtë çështje.
Por Trump ka thënë se tarifat do ta bëjnë US Steel shumë të suksesshëm. Aksionet e Nippon Steel ranë 0.4% në Tokio të hënën.
Trump nuk tha se si synonte saktësisht të zbatonte tarifat reciproke, që premtoi të shpallte në ditët në vijim. “Shumë thjesht, nëse ata na taksojnë, edhe në bëjmë të njëjtën gjë,” tha ai.
/Monitor (https://monitor.al/trump-do-te-vendose-tarifa-25-per-importet-e-celikut-dhe-aluminit/)
Më të lexuarat









